Amerikania nga Kalifornia ka lindur të hënën tetënjakë, për të cilët besohet se janë vetëm të dytët me radhë të cilët kanë lindur në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, kanë njoftuar agjencitë botërore të lajmeve.
Gjashtë djemtë dhe dy vajzat janë në gjendje stabile, nën përkujdesje intensive në njësinë neonatale, ka njoftuar doktoresha Karen Maples nga qendra mjekësore Kaiser Permanente, në paralagjen e Los Angelesit - Bellflauer. Dy foshnje, për shkak të vështirësive me frymëmarrje, janë kyçur në aparate, ka shtuar ajo.
Tetënjakët kanë lindur nëntë javë para kohe, me prerje cezariane, me dallim kohor prej pesë minutash, nën asistencën e ekipit mjekësor prej 46 anëtarësh.
Të porsalindurit kanë qenë në mes peshave 680 e 1.470 gramë, derisa mjekët, ashtu si kanë ardhur në jetë, i kanë shënuar me shkronja të alfabetit duke filluar nga A.
Identiteti i nënës nuk është bërë i njohur, mirëpo është thënë se shtatzënia e saj ka qenë e natyrshme dhe se ajo nuk ka përdorë ilaçe steriliteti.