Pesëmbëdhjetë punëtorë të Qeverisë së Kosovës ka një javë që bojkotojnë në heshtje punën në zyrën e kryeministrit, për shkak të mosrealizimit të premtimit të zëvendëskryeministrit Hajredin Kuçi për rritje pagash.
15 punonjësit, të cilët kanë magjistruar në vendet perëndimore me bursa të Qeverisë së Kosovës, thonë të mos jenë përfshirë në listat për rritje pagash të fondit prej 1 milion eurosh të programit “BRAIN GAIN”.
Ky duket të jetë qëndrimi i tyre, edhe pse numri dy i qeverisë nuk pranon t’i ketë premtuar dikujt rritje page. Ai ka paralajmëruar zgjidhjen e mosmarrëveshjeve në një takim që do të mbahet të hënën.
Derisa punonjësit bojkotojnë në heshtje punën, drejtori i Zyrës për Integrime Evropiane, Besfort Rrecaj, gjendet në Bruksel. Rrecaj, i cili ishte angazhuar zyrtarisht në PDK, kishte ardhur në krye të zyrës pas largimit të Sabahe Shalës, mbesës së Xhavit Halitit.
KTV-ja ka mësuar se edhe Besfort Rrecaj pritet të largohet nga posti deri në fund të janarit.
Zyra për integrime evropiane është nën kompetenca të zëvendëskryeministrit, Hajredin Kuçi.