Hakerët në Britani të Madhe shesin profilet komplete të Facebook vetëm për 79 peni (gati një euro), njofton gazeta britanike Daily Telegraph.
“Bandat kompjuterike” shkëmbejnë të dhëna nga Facebook për viruse të cilët “bandat” tjera i përdorin për të infektuar kompjuterët me spyware të cilët përcjellin dhe kopjojnë të dhënat personale të përdoruesve siç janë fjalëkalimet dhe numrat e kartelave bankare.
Gjithashtu, njoftojnë mediat, në rrezik të madh janë edhe përdoruesit e dy shërbimeve tjera online, MySpace e Skype.
“Njerëzit i lënë të dhënat e tyre personale gjithkah, e kjo vetëm sa tërheqë më shumë hakerët. Veçanërisht në kohën e festave kur njerëzit komunikojnë më shumë me të tjerët dhe kur është sezoni i blerjeve online”, zbulon Rik Ferguson, ekspert për siguri të internetit nga kompania e njohur Trend Micro.
E njëjta kompani ka kuptuar se numrat e kartelave bankare shiten për 28 euro, derisa fjalëkalimet shiten edhe deri në 40 euro.
Mediat britanike shtojnë se vetëm në Britani të Madhe janë madje katër milionë viktima të mashtrimeve me anë të internetit, dhe se shuma e parave të cilën e kanë humbur me anë të këtyre mashtrimeve shkon edhe deri në tetë miliardë euro në vit.