Menaxheri i Tottenhamit, Harry Redknapp, thotë se ai është i lumtur nga përforcimet e reja të cilat kanë arritur në afatin kalimtar dimëror.
Robbie Keane mbrëmë e kompletoi rikthimin nga Liverpooli tek ish-klubi i tij, për një shumë që thuhet të jetë 12 milionë funte. Krahas Robbie Keane, Tottenham këtë afat kalimtar e ka angazhuar edhe katër lojtarë të tjerë Jermaine Defoe, Carlo Cudicinin, Pascal Chimbonda dhe Wilson Palacios.
“Lëndimi i Jermaine është një goditje serioze për ne, ai filloi mirë dhe shënoi tri gola. Ai sigurisht se do të arrinte edhe shumë të tjerë deri në fund të sezonit, andaj kishim nevojë për një zëvendësues dhe nuk mund të gjenim një më të mirë se Robbie Keane”, ka deklaruar Redknapp për Sky Sports.
“Jemi të kënaqur nga rikthimi i tij. Por jemi të kënaqur edhe me Cudicinin dhe Palacios. Ata janë përforcime të shkëlqyeshme dhe unë jam shumë i kënaqur me punën që kemi bërë”, ka përfunduar trajneri i Tottenhamit.